2023 nuk do të jetë vit i rimëkëmbjes ekonomike globale. Kështu mendon drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Në një intervistë për SBC, ajo thotë se për pjesën më të madhe të ekonomisë botërore, ky vit do të jetë i vështirë sepse nxitësit kryesorë të rritjes globale, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina, do të pësojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik.
“Viti i ri do të jetë “më i vështirë se viti që lëmë pas. Presim që një e treta e ekonomisë botërore të jetë në recesion. Edhe në vendet që nuk janë në recesion, qindra miliona njerëz do të ndihen sikur janë në recesion”, tha Kristalina Georgieva, drejtoreshë e FMN-së .
Lufta në Ukrainë po ushtron presion shtesë mbi gjithë situatën dhe ishte arsye e mjaftueshme që FMN-ja të ulë parashikimin e saj për rritjen ekonomike globale në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Georgieva është gjithashtu e kujdesshme nëse pritjet për lëvizjen e inflacionit si dhe normat e larta të interesit të krijuara nga bankat qendrore, si banka qendrore amerikane, do t’a zbutin rritjen e çmimeve. Ajo që është shqetësuese është se, Georgieva beson se në vitin 2023 një e treta e ekonomisë botërore do të preket nga recesioni./Alsat.mk/