Shteti i Kosovës konsiderohet se ka dështuar që të trajtojë personat e moshuar. Vetë këta të fundit thonë se janë përballur me një vit të vështirë. Lidhja e Pensionistëve të Kosovës kritikon ekzekutivin për mungesë të mbështetjes dhe e bën fajtore për mosrespektim të ligjit. Institucionet nuk kanë informacione për personat e moshuar pa përkujdesje familjare, por që Kryqi i Kuq i Kosovës numëron mbi 500.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi e konsideron të vështirë vitin që shkoi për personat e moshës së tretë. Ai përmend rastin e të moshuarës, e cila u rrah nga infermieret në një qendër në Pejë, ku fajëson shtetin për mosfunksionim të institucioneve.
Gashi: Viti 2022 ka qenë një vit i vështirë për të moshuarit
“Viti 2022 ka qenë një vit i vështirë për të moshuarit, për personat e moshës së tretë dhe pensionistët. Në përgjithësi vulën për të keq, damkën që na ka tronditur të gjithëve është rasti që ndodhi në Pejë me të moshuarën e keqtrajtuar. Krejt kjo është pasojë sepse ne jemi pak të prirë t’ju lejmë fajin individëve, viktima më e madhe në këtë rast, përveç asaj që ishte e torturuar, ishin edhe ato infermieret që e torturonin. Edhe ato janë viktima të sistemit. Sepse po të kishte sistem të mirëfilltë, ajo nuk do të ndodhte. Nuk do të ndodhte një rast i tillë po të funksiononte shteti dhe po të funksionin institucionet”, deklaron ai.
Për më tepër, ai tregon se shumë të moshuar jetojnë krejt të vetmuar dhe nën mëshirë të fatit.
Këtë e konfirmon edhe Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës, i cili thotë se që nga pandemia po ndihmojnë të moshuarit pa përkujdesje familjare dhe institucionale.
Shala: Rreth 500 persona të moshuar i ndihmojmë
“Që nga fillimi i pandemisë, kemi identifikuar personat e moshuar dhe diku rreth 500 persona të moshuar në nivel vendi vazhdimisht i ndihmojnë, varësisht prej nevojave të tyre. Vizitojmë ata, kërkojmë t’i identifikojmë nevojat e tyre me një shumë të caktuar të të hollave, vazhdojmë e i blejmë ato që kanë nevojë, qoftë barna, veshmbathje apo batanije, qoftë ushqim apo pako higjienike dhe i dërgojmë tek këta persona. A mund të themi që ka më shumë se 500? Po, ka shumë më shumë se 500 në vendin tonë që janë njëfarë forme të vetmuar dhe harruar nga shoqëria që nevoja për t’ju ndihmuar është shumë e madhe”, tregon Shala.
Për këta persona nuk është në dijeni shteti, përveç për të moshuarit të cilët ndodhën në qendrën në Prishtinë dhe në katër shtëpi të tjera me bazë në komunitet.
“Gjithsej numri aktual i rezidenteve të vendosur në institucionet publike që marrin shërbime 24 orësh është 121. Në SHPMPF Prishtinë janë 65 rezidentë prej tyre janë 36 femra dhe 29 meshkuj, në Shtëpinë e Komunitetit në Skenderaj numri i përgjithshëm është 23, në Gurakoc 16 në Graçanicë 8, dhe në Novobërdë 9, gjithsej janë 121”, thuhet në përgjigjen e zyrtares për personat e moshuar në DPSF, Fahrije Ajeti.
Numri i të moshuarve pa përkujdesje familjare e institucionale çdo vit po shënon rritje, thotë Armend Shala nga Kryqi i Kuq i Kosovës.
Shala: Ka rritje për shkak të migrimit të brendshëm ose të jashtëm
“Nivel vendi e shohim që ka shumë më shumë persona të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë ose për ndihmën e shoqërisë, mirëpo mundësitë tona janë që të ndihmojmë vetëm 500 prej tyre. Ka persona që kanë nevojë për shoqërim, për të biseduar me dikë ose kanë nevojë për pako higjienike, barna dhe gjëra të tjera. A shohim që ka rritje të këtyre raste? Ka rritje për arsyeje se shohim se ka persona që për një kohë të caktuar të afërmit e tyre janë kujdesur ndaj tyre, tani për shkak të migrimit të brendshëm ose jashtëm, ai personi ka mbetur vetëm vet. Kemi pasur raste që në një fshat ose lagje ka qenë e vetmja shtëpi e banuar prej 10 shtëpive ose 15 shtëpive, vetëm në atë shtëpi ka qenë një person i moshuar”, shton Shala.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se shteti ka dështuar të ofrojë trajtim dinjitoz për personat e moshës së tretë.
Shala: Shteti i Kosovës ka dështuar që të trajtojë personat e moshuar
“Realisht, shteti i Kosovës ka dështuar që të trajtojë personat e moshuar, për faktin se nuk ka krijuar kushte as për së afërmi që ata të trajtohen si duhet… Shumica e të moshuarve jetojnë nën dinjitet, ata nuk kanë kushte jo për të jetuar, por nuk kanë kushte as për të vdekur si duhet. Sepse merreni me mend një i moshuar që merr një pension prej 100 euro edhe nuk ka asnjë ngritje të pensionit, eventualisht kanë marrë një lëmoshë prej 100 euro një herë në vit. Kjo është e papranueshme, jo normale sepse kemi ngritje të madhe të çmimeve, inflacioni është shumë i rritur”, deklaron kryetari i KMDLNj-së, Behgjet Shala.
Kryetari i Pensionistëve të Kosovës potencon se shteti duhet të jetë më afër të moshuarve.
Gashi: Më fajtorja është Qeveria e Kosovës
“Qeveria ka ndërhyrë dy-tri herë gjatë vitit që lamë pas me nga 100 euro të cilat nuk janë të mjaftueshme dhe nuk është zgjidhja adekuate. Zgjidhja adekuate bëhet vetëm përmes të instalimit të fondit të sigurimeve pensionale…Për fat të keq në këtë kontekst më fajtorja është Qeveria e Kosovës, e cila nuk e ka respektuar as këtë ligjin e keq të pensioneve që e kemi, përkundrazi e ka shkelur në mënyrë drastike sidomos nenin 14 të këtij ligji, ku thotë që ‘qeveria duhet të bëjë vlerësimin e inflacionit çdo ditë dhe pas çdo viti të rrit pensionet në bazë të kostos jetësore’. Ata këtë nuk e kanë bërë kurrë”, përfundon ai.
Vitin e kaluar një grua e moshuar ishte keqtrajtuar nga disa infermiere në një qendër në Pejë. /TV Malisheva