Ljubomir Ristiq, babai i Svetislav Ristiqit, 18-vjeçarit të vrarë në kafenenë “Panda” të Pejës, ka thënë sot se as 20 ditë pas kërkesës së fundit të dorëzuar për pranim nga ana e presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, familjeve të fëmijëve të vrarë askush nga kabineti i presidentit nuk i është përgjigjur.

Prindërit e gjashtë të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” në vitin 1998, prej gjashtë vjetësh me ngulm kanë kërkuar që t’i pranojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në vitin 2013 ka njoftuar se masakrën në “Panda” nuk e kanë bërë shqiptarët.

“Që nga 5 shtatori 2017, më shumë se 10 herë i jemi drejtuar zyrës së Presidentit të Serbisë, duke kërkuar bisedë me presidentin Vuçiq, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kërkesën e fundit e kemi dorëzuar më 23 dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë Ristiq për Agjencinë Beta, shkruan Kossev, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi se kanë kërkuar edhe nga Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK), ku kanë nisur hetimet, që Vuçiq të merret në pyetje për shkak të njohurive që i ka bërë publike për krimin në “Panda”, por që as këtë nuk e kanë bërë.

Ristiq shtoi se familjet e viktimave do të duhet të organizohen dhe të bëjnë një “përpjekje shtesë” për të arritur takimin me Vuçiqin.

Llazar Obradoviq, babai i 15-vjeçarit të vrarë, Ivanit, tha se prindërit presin që presidenti i Serbisë t’u tregojë të gjitha njohuritë që ka për “rastin Panda”.

“Shërbimet shtetërore dhe Vuçiqi e dinë se kush ka urdhëruar, organizuar dhe vrarë fëmijët në ‘Panda’. Është e papranueshme që e vërteta është fshehur për më shumë se 24 vjet dhe që presidenti i Serbisë refuzon të flasë me ne”, ka theksuar Obradoviq.

Prindërit e fëmijëve të vrarë, pas 24 vjetësh kërkimi të së vërtetës, thonë se nuk kanë asnjë dyshim që rreth masakrës në “Panda” ishte marrë vendimi në krye të shtetit.

“Zotëri President, ju e dini dhe ne prindërit e dimë se vrasja e djemve tanë në kafenenë “Panda” në Pejë ishte çështje shtetërore e cila u vendos nga njerëzit në krye të shtetit. Në pyetje është terrorizmi shtetëror par excellence. Theksojmë se ka edhe arsye të tjera për pranimin tonë nga ana juaj, të cilat do t’i paraqesim në bashkëbisedimin me ju, në mënyrë që autoriteti që drejton procedimin, pas gati 24 vjetësh ta ndjekë penalisht krimin”, thuhet në një nga kërkesat për pranimin te presidenti Vuçiq, të cilat prindërit i dorëzuan më 6 qershor 2022.

Familjet e djemve të vrarë besojnë se shteti serb po përpiqet ta fshehë krimin e vet.

Ljubomir Ristiq ka thënë se që nga 17 shtatori 2017, familjet e të vrarëve, shumë e shumë herë kanë kërkuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar (TOK) që të ndërmarrë veprimet e mbetura hetimore dhe shtatë herë kanë kërkuar që të pranohen nga prokurori, por që çdo herë janë refuzuar.

“Duke pasur parasysh se nuk kemi asnjë përgjigje për kërkesat tona, gjithçka tregon se nuk është bërë asgjë dhe se hetimet janë ndërprerë”, tha Ristiq.

Në kafenenë “Panda”, ku ishin mbledhur gjimnazistët nga Peja më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar, me breshëri të automatikëve vranë 15-vjeçarin Ivan Obradoviq, 18-vjeçarin Vukota Gvozdenoviq, 24-vjeçarin Ivan Radeviq 18-vjeçarin Dragan Trifoviq. Po ashtu plagosën 18-vjeçarin Vlad Lonçareviq, 34-vjeçarin Mirsad Shaboviq dhe 18-vjeçarin Nikola Rajoviq.

Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të rinjve të vrarë dhe publiku ishin të bindur se krimi ishte kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. Mirëpo, nënkryetari i parë i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, në emisionin “Teshka reç” në TV Pink tha: “Krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Vuçiq më vonë u tha gazetarëve se është pothuajse i sigurt se e di se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por se “nuk ka asnjë provë” dhe se autoritetet hetuese të Serbisë nuk mund të “krenohen” me mënyrën se si e kanë kryer hetimin.

“Ne mund të shkruanim një libër në tre vëllime për sa përpjekje kemi bërë për të mos e mbuluar tragjedinë në “Panda”. Gjithçka tregon se ka një lidhje mes autoriteteve të caktuara shtetërore për të mos e zbuluar kurrë se kush urdhëroi, organizoi dhe vrau fëmijët tanë. Familjet tona janë të shpërndara nëpër Serbi dhe Mal të Zi, disa prindër të djemve të vrarë që atëherë kanë ndërruar jetë pa e mësuar kurrë të vërtetën. Prandaj i bëjmë apel publikut, veçanërisht gazetarëve, që të na ndihmojnë të zbulojmë të vërtetën për vrasjen e djemve tanë”, ka përfunduar Ljubomir Ristiq.

 

Share.