Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga viti 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve.

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh.

Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë.

Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër.

Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës

Më 4 prill 2016, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësine e Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhëri i Artë i Shqiponjës”.

Me iniciativë dhe nën Patronatin e Presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një Monument.

Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”.

/TV Malisheva

Share.