Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka deklaruar sot gjatë vizitës së saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka pasur një takim me kreun e Interpolit, Ahmed Nasser al Raisi, i cili ka konfirmuar se gjatë mandatit të tij, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë nuk do të jetë në rend dite.
Brnabiq tha se kjo është veçanërisht e rëndësishme për Serbinë, pasi sipas saj, dy institucione kyçe janë Interpoli dhe UNESCO dhe është e rëndësishme që të mos i marrin parasysh kërkesat e Kosovës për anëtarësim.
“Jam shumë e kënaqur me rezultatet e vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bashkëpunimin me atë vend”, tha ajo, duke shtuar se vitin e kaluar janë nënshkruar 10 marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ahmed Naser al Raisi u zgjodh president i Interpolit në nëntor 2021 dhe mandati i tij zgjat katër vjet.