Sipas pasqyrës së fundit të statisitkës ditore epidemiologjike, në Gjermani më shumë njerëz janë shëruar sesa aktualisht janë të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti “Robert Koch” njoftoi sot se në Gjermani nga koronavirusi plotësisht janë shëruar 60.200 persona, kurse aktualisht në vend janë të prekur 57.606.
I njëjti burim raporton se ky informacion jep shpresë se masat parandaluese të vendosura nga autoritetet gjermane në luftimin e pandemisë COVID-19 janë efektive.
Në Gjermani, gjithsej 120.479 njerëz u infektuan me koronavirus, përfshirë gjysmën e të cilëve u shëruan.
Ndërkaq, 2.673 pacientë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit deri më tani, përfshirë 129 vdekje të regjistruara në 24 orët e fundit.
Edhe pse Gjermania është vendi i pestë më i infektuar në botë, numri i vdekjeve në vend është shumë më i ulët në krahasim me SHBA-në, Spanjën, Italinë dhe Francën.
Autoritetet gjermane kryejnë teste masive për koronavirus, kurse në një afat të shkurtër gati kanë dyfishuar aftësinë e reparteve të kujdesit intensiv spitalor. Muajin e kaluar, një numër masash kufizuese u futën në Gjermani për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ky konsiderohet të jetë një nga faktorët që vendi ka pasur rezultate më të mira në luftimin e COVID-19 sesa vendet e tjera që u preken rëndë nga koronavirusi.
Pasi u shfaq për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, është përhapur në të gjithë botën, kurse epiqendra e saj është zhvendosur në Evropë.
Në gjithë botën, pandemia ka marrë jetën mbi 110 mijë njerëve dhe ka infektuar mbi 1,78 milion, ndërsa më shumë se 405 mijë njerëz janë shëruar, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA./ Tv Malisheva