Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u ka bërë thirrje partive politike që të mbështesin pakon e propozuar nga kjo parti prej 320 milionë eurosh në seancën e nesërme të Kuvendit, pasi që masat e propozuara nga Qeveria në detyrë prej 170 milionë eurosh janë të pamjaftueshme në kohën kur vendi po përballet me COVID-19.

Veseli ka thënë se vendi duhet të fokusohet në pasojat socio-ekonomike, të cilat mund të jenë fatale, nëse nuk ndërmerren hapat e duhur preventivë, pasi edhe ekonomia globale po rrezikohet nga një recesion i madh dhe rritja ekonomike do të bjerë deri 2-4 për qind, ndërsa edhe remitencat do të ulen ndjeshëm.

Institutet dhe ekspertët kompetentë që merren me çështjet ekonomike, thonë se Kosova është duke humbur mbi 10 milionë euro çdo ditë. Humbja totale deri më tash është mbi 250 milionë euro, ka përkujtuar Veseli.

“Nëse shteti ynë nuk ësh të i gatshëm që të marrë përgjegjësinë e ndërhyrjes për ta shpëtuar ekonominë e vendit, atëherë 280 mijë vende të punës në sektorin privat do të rrezikohen dhe qindra ndërmarrje të mesme e të vogla do të shuhen. Prodhuesit, për shkak të tkurrjes së ekonomisë vendore dhe ndërkombëtare, do t’i humbin tregjet e domosdoshme për eksport të produkteve të tyre”, ka thënë kreu i PDK-së.

Ai ka përkujtuar se Partia Demokratike e Kosovës ka bërë propozimin e saj për pakon 320 milionë euro, me tri burime të sigurta, duke mos rrezikuar stabilitetin makro-fiskal.

“Ftoj të gjitha partitë politike që më 14 prill ta bëjmë atë që qytetarët presin ta bëjmë për ta. Nuk është as koha dhe as çështja që duhet të na ndajë. Përkundrazi”, ka thënë Veseli duke përkujtuar se vetëm Kuvendi i Kosovës mund ta miratojë buxhetin, plotësojë edhe ndryshojë atë në masën e nevojshme, për ta shpëtuar ekonominë e v endit në këtë kohë me pandeminë COVID-19./ Tv Malisheva

Share.