Transformimi digjital në të cilin po punon Qeveria e Kosovës do të sjellë përfitime të shumta si për shtetin ashtu edhe për shoqërinë kosovare.

Kështu ka thënë kryeministri i vendit Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”.

Kryeministri Kurti ka thënë se digjitalizimi i administratës publike mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e bizneset.

Kurti: Për transformimin digjital ka edhe sfida e rreziqe

“Për transformimin digjital ka edhe sfida e rreziqe. Përderisa qeverisja dhe ekonomia e digjitalizuar bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga mirëfunksionimi i rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, siguria e hapësirës kibernetike bëhet me rëndësi qenësore për funksionimin e shtetit. Sulmet kibernetike sot kanë potencial për të shkaktuar dëme me shtrirje të gjerë, duke filluar nga rënia e uebfaqeve, degradimi e ndërprerja e shërbimeve elektronike e deri te cenimi i funksionimit të infrastrukturës kritike dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare”, theksoi Kurti.

Po ashtu Kurti theksoi se Qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi, siç tha ai, shumëdimensional.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se janë të përkushtuar në mbështetjen e mediave të pavarura e shoqërisë civile efikase.

Ambasadori Hovenier gjithashtu ka deklaruar se janë të përkushtuar që ta mbështesin Kosovën që të shfrytëzojë burimin e saj më të rëndësishëm, që sipas tij është rinia.

Hovenier: Konsiderojmë se liria e shprehjes është e drejtë themelore

“Ne kemi ndihmuar këtë konferencë, sepse jemi të përkushtuar në mbështetjen e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile efikase, pasi që ne konsiderojmë se liria e shprehjes është e drejtë themelore dhe e domosdoshme për avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe prosperitetit ekonomik. Po ashtu jemi të përkushtuar që ta mbështesim Kosovën që të shfrytëzojë burimin e saj më të rëndësishëm, të rinjtë e saj, duke përfshirë edhe ekspertizën e tyre në kibernetikë”, theksoi Hovenier.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama duke përmendur sulmet kibernetike në Shqipëri që ndodhën ditë muaj më parë, ka thënë se është e nevojshme që Kosova të jetë më vigjilente kundër kërcënimeve digjitale.

Rama: Nevojitet vigjilencë e bashkëpunim kundër kërcënimeve digjitale

“Sulmet kibernetike ndaj faqeve të internetit të qeverisë shqiptare nga hakerët iranianë të këtyre kohëve të fundit veçse na vetëdijësojnë edhe më shumë për kërcënimin e vazhdueshëm me të cilin përballemi. dhe nevojitet për vigjilencë e bashkëpunim të përhershëm kundër kësaj dukurie. Prandaj, është me rëndësi thelbësore që të bashkohemi si komunitet që të luftojmë këtë kërcënim dhe të garantojmë sigurinë dhe mbarëvajtjen e botës sonë digjitale”, theksoi Rama.

Ndryshe, në tetor të vitit 2022 qeveria ka miratuar projektligjin për siguri kibernetike, dhe ky projektligj aktualisht është aprovuar në lexim të parë në Kuvend.

/TV Malisheva

Share.