Opozita kërkon që SPAK (Struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) të emërojë një prokuror të Posaçëm për hetimin e krimeve zgjedhore.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, kryetarja Jorida Tabaku tha se 2023 është një vit prove që duhet të kalojë vendi në sytë e BE për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në mënyrë që të ecet para me negociatat.

“Ky është një vit i rëndësishëm e një vit testi e prove për Shqipërinë. A mundet Shqipëria që ka çelur negociatat të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? SPAK dhe drejtuesi i saj do ketë mbështetjen time në punën tuaj dhe në përpjekjen tuaj dhe institucionit që ju po drejtoni për të luftuar Krimin e Organizuar, Korrupsionin dhe mafian në vend. Ne kemi nevojë për një drejtësi të pavarur. Sot dosjet 184 dhe 339 rrezikojnë të parashkruhen dhe përgjegjësit e vërtetë mos të përfundojnë përpara drejtësisë, e ne nuk mund të presim derisa këto të bëhen statistika prandaj në emër të opozitës Z. Dumani ju kërkoj që një prokuror special të caktohet sa më shpejt i dedikuar për të hetuar krimet zgjedhore, ku një procedure e thjeshtë dhe e shpejtë menjëherë të marrë vendime”, tha Tabaku.

Nga ana tjetër bashkëkryetari I Këshillit, Taulant Balla tha se efektiviteti i drejtësisë së re është fakt dhe se sot kemi një Gjykatë Kushtetuese të plotësuar dhe një proces vettingu intensiv.

“Shqipëria edhe në muajit e fundit ka konsoliduar hapat në çështjet me rëndësi për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe fakt është që sot Gjykata Kushtetuese është e plotësuar, KLP ka zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK dhe vijon me intensitet procesi i vettingut. Dua të falenderoj prezencën e raporteres për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos për objektivitetin në hartin e raportit të kaluar për Shqipërinë”, tha Balla.

E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe Isabel Santos, Anëtare dhe Raportuese për Shqipërinë, në Parlamentin Evropian, shkruan Rtsh Santos kërkoi nga Tirana zyrtare të përshpejtohen reformat në vend në përputhje me standartete e kërkuara europiane.

“Ka ardhur koha të përshpejtohen reformat dhe procesi i reformave që Shqipëria të bëhet pararendës në këtë proces. Shqipëria i ka kushtet për të qenë e tillë. Duhet vizion strategjik dhe plan konkret. Jo polarizimit në shoqëri”, u shpreh Santos.

/TV Malisheva

Share.