Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët do të mblidhen të mërkurën për të shqyrtuar pikat e përfunduara nga seancat e kaluara, ndërsa të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ku do të shqyrtohen një sërë projektligjesh.

Në seancën e së mërkurës, PDK-ja do të kërkojë shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërkaq, do të diskutohet edhe raporti i komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së kryesisë, tha se në seancën e rregullt të enjten, do të trajtohen edhe vendimi i qeverisë për masat emergjente në sektorin e energjisë dhe raporti i komisionit funksional për shkarkimin e Bordit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve.

Kusari-Lila: Të enjten do të trajtohen masat emergjente në sektorin e energjisë

“Shtesë do të trajtohet vendimi i qeverisë për masat emergjente në sektorin e energjisë. Gjithashtu do të trajtohet vendim i komisionit funksional për ekonomi për shkarkimin e Bordit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve”, tha ajo.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se në dikasterin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka një mori skandalesh dhe është një gjendje e rëndë, rrjedhimisht, sipas tij duhet të shkarkohet edhe ministrja Rozeta Hajdari.

Tahiri: Kemi propozuar një rezolutë që kërkon shkarkimin e ministres nga kjo pozitë

“Do të kemi një pikë të propozuar nga PDK-ja e cila do të trajtojë gjendjen mjaft të rëndë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Një mori skandalesh që kanë ndodhur për dy vite, dënimin për mos deklarimin e pasurisë së ministres. Ne kemi propozuar një rezolutë që kërkon shkarkimin e ministres nga kjo pozitë”, tha ai.

Ai shtoi se në seancën e njëjtë do të shqyrtohet edhe raporti i komisionit hetimor për krizën energjetike, ku paralajmëroi kallëzime penale për drejtuesit e institucioneve energjetike si pasojë e gjetjeve nga ky raport.

Tahiri: Do të bëjmë kallëzime penale për disa drejtues të institucioneve të sistemit tonë energjetik

“Në kuadër të këtij raporti ka jashtëzakonisht të gjetura. Ju e dini se mazhoranca nuk ka votuar këtë raport dhe i njëjti nuk është shndërruar në raport zyrtar. Por megjithatë, edhe pse s’ka marrë votat e duhura, nuk e ndalon që të debatohet në seancë. Sa i përket gjetjeve, padyshim si GP i PDK-së jemi duke përgatitur që në bazë të atij raporti të bëjmë kallëzim penal për disa drejtues të institucioneve në kuadër të sistemit tonë energjetik për shkeljet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe. Ju e dini se aty është intervistuar zotëri Martinaj që po del se ka gënjyer nën betim për disa çështje që është pyetur, mos deklarimin e të hyrave milionëshe në tri viteve e fundit. Siç duket edhe fati i kësaj qeverie është i lidhur ngushtë me fatin e zotëri Berishaj. Nëse shkon ai mund të ecë edhe kjo qeveri, andaj shohim një mbrojtje të fuqishme që i bëhet atij nga institucionet”, theksoi ai.

/TV Malisheva

Share.