Një numër i qytetarëve kanë protestuar sot në sheshin e Prishtinës, kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo protestë është thirrur nga Sadri Ramabaja nga Instituti shqiptar për gjeopolitikë, i afërt me partinë në pushtet.
Ata kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të rishikojnë qëndrimet e tyre karshi kësaj kërkese ndaj Kosovës.
Dashamir Uruçi, njëri nga përfaqësuesit e protestuesve, në fjalën e tij tha se shqiptarët janë kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Askush në Kosovë nuk e harron ndihmën e Evropës gjatë luftës për liri dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur. Evropa duhet ta di se shqiptarët masivisht janë kundër Asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta qoj shtetin në të njëjtën gjendje ku e ka quar Bosnjën, Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh ai.
Ai shtoi se do të ketë protesta masive gjithandej.
“Protestat do të jenë masive gjithandej, paqësore dhe në mbështetje të qeverisë Kurti që po punon me të gjitha forcat për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Shqiptarët do të luftojnë për ta ndalur Asociacionin e institucionet evropiane duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre”, u shpreh qytetari.
Në fund të fjalës së tij ai u shpreh se “në këto ditë vendimtare për të ardhmen Kosovën nuk duhet lënë vetëm. Të mbushim sheshet në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të shtetit tonë”.
/TV Malisheva