Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka deklaruar sot se janë në pritje të opinionit ligjor nga Ministria e Financave për faljen ose jo të 100 eurove të tatimit, pas vlerësimeve të reja tatimore.
I pyetur rreth kësaj çështjeje, Aliu tha se e kanë paraparë të arsyeshme që vendimi për ekzekutim për çmimet e reja të tatimit të shtyhet për vitin 2024.
Aliu: Në pritje të opinionit ligjor për “faljen e 100 eurove për tatim”
“Pas sqarimit ligjor do të ketë edhe mendime të Kuvendeve Komunale, sepse është kërkesë e të gjitha kuvendeve komunale që të ketë një vendim të tillë mbështetës për të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës në vlerë prej 100 euro. Por, sigurisht se do të presim opinionin ligjor, duke pasur parasysh se jemi në debatin e koeficientëve të pagave, të gjendjes së rëndë ekonomike, sigurisht se e kemi paraparë të arsyeshme që të shtyhet ky vendim për ekzekutim të këtyre faturave deri në vitin 2024. Por, sidoqoftë do të sqarohet ligjërisht dhe pastaj do të jenë vendimet, o i komunës ose i qeverisë që pastaj të falet apo të zbutet fatura e tatimit në pronë”, tha ai.
Çështja e vlerësimit të ri të tatimit ka ngritur reagime të shumta. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati pati deklaruar se rritja e çmimit të tatimit në pronë është paraparë me ligj.
/TV Malisheva