Kuvendi e ka përfunduar seancën për ditën e sotme në mungesë kuorumi. Të pranishëm në sallë ishin vetëm 60 deputetë, gjë që pamundësoi ecurinë tutje. Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për të gjitha pikat e mbetura, shqyrtime do të ketë në seancat e radhës.
Paraprakisht Kuvendi miratoi Projektligjin për Siguri Kibernetike. Në sallë ishin 69 deputetë, prej të cilëve 66 kanë votuar në favor të projektligjit në fjalë. Paraprakisht janë miratuar edhe 20 amendamente të projektligjit në fjalë. Kosova por edhe vendet e tjera të Ballkanit, ditëve të fundit kanë qenë cak i sulmeve kibernetike. Ky ligj pritet ta forcojë sigurinë kompjuterike në vend, pasi përpos shtimit të veprave penale të cilat kryhen me kompjuter dhe ashpërsimit të tyre ka paraparë edhe themelimin e Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike si dhe masa të shumta, duke përfshirë edhe themelimin e një pike kontakti në Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.