Rreth kushteve që ka paraqitur sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti për nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin, ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha, i cili i ka quajtur ato si improvizime dhe sensacion momental politik dhe jo si politikë njëmend koherente shtetërore.
Tutje Shasha ka theksuar se mënyra si u prezantuan këto 6 kushte për asociacionin duken jashtëzakonisht të ngjashme me ato 4 kushte të dialogut: (1) nga CEFTA në SEFTA, (2) nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mos-agresionit, (3) reciprocitet bilateral në çështje të pakicave, dhe (4) largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb. Nëse mbani mend edhe këto u patën prezantu me një dozë improvizimi dhe sensacioni. Rrjedhimisht sot ngritët brenga që këto 6 kushte për asociacionin do e ndajnë fatin e njëjtë me ato 4 kushte të dialogut të cilat tani i takojnë historisë.
Reagimi i tij i plotë:
“Janë dy gjëra që lënë shije të keqe për mënyrën se si u prezantuan sot këto 6 kushte të Asociacionit.
E para, këto kushte duken si improvizime dhe sensacion momental politik dhe jo si politikë njëmend koherente shtetërore. Pra Kryeministri i prezantoj ato në kuadër të një ballafaqimi momental me opozitën dhe jo si produkt i një procesi serioz politik i cili synon ti kthej parimet politike në politikë shtetërore. Nëse Kryeministri me të vërtet beson se këto janë “vijat e kuqe” të Kosovës atëherë ai është dashur që në takime të mbajtura me liderët e opozitës ti njoftoj ata për këtë qëndrim dhe të filloj një dialog konfidencial me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe krijimit të konsensusit të nevojshëm ndër-partiak për “vijat e kuqe”. Kësisoj këto do kishin marr formën përfundimtare të një platforme për dialogun të cilën do mbështetnin të gjitha partitë. Kështu si ka vepruar Kryeministri duke i hedhur këto 6 kushte nga qielli në cirkun politik ai vetëm ka thelluar përçarjet në mes partive rreth kësaj çështje.
E dyta, mënyra si u prezantuan këto 6 kushte për asociacionin duken jashtëzakonisht ngjashme me ato 4 kushte të dialogut: (1) nga CEFTA në SEFTA, (2) nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mos-agresionit, (3) reciprocitet bilateral në çështje të pakicave, dhe (4) largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb. Nëse mbani mënd edhe këto u patën prezantu me një dozë improvizimi dhe sensacioni. Rrjedhimisht sot ngritët brenga që këto 6 kushte për asociacionin do e ndajnë fatin e njëjtë me ato 4 kushte të dialogut të cilat tani i takojnë historisë.”, ka shkruar Shasha në rrjetin social Facebook.