Ish kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka deklaruar se, kryeministri Kurti nuk guxon të japë kompetenca ekzekutive për Asociacionin.

Sipas saj, hapi i parë është që Kurti të kërkojë një letër garancie nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe BE, Escobar dhe Lajçak, me të cilën ata sigurojnë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë.

“Pasi pranimit të Asociacionit, Kryeministri Kurti nuk guxon të jap kompetenca ekzekutive për asociacionin. Hapi i parë është që ai të kërkoj një letër garancie nga ndërmjetësuesit amerikanë dhe BE, Escobar dhe Laiçak me të cilën ata sigurojnë që Asociacioni nuk do të ketë komptenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë qeverisjes në Kosovë. Një letër të tillë unë si kryenegociatore kam arritur që ta siguroj nga Mogherini si ndermjetësuese e BE-së me të cilën ajo ka siguruar se për BE-në Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë qeverisje në Kosovë. Ja letra e Mogherinit drejtuar Kryeministrit te Kosovës”, ka shkruar Tahiri duke publikuar edhe një letër të nënshkruar nga Mogerini.

I nderuar kryeministër,

Në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, dëshiroj të konfirmoj se është mirëkuptimi i BE-së që Asociacioni/Bashkësia – në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe Ligjin e Kosovës – nuk do të përbëjë një niveli të tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. BE-ja, në ushtrimin e rolit të saj si ndërmjetësues i dialogut Prishtinë-Beograd, do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe zbatimin nga të dyja palët të Marrëveshjes së Parë dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në Dialog.

/TV Malisheva

Share.