Rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës, ka më shumë se shtatë muaj që po qëndron në sirtarët e Kuvendit dhe nuk po shqyrtohet nga komisionet. Për këtë shtyrje, deputetët e pozitës thonë se po synojnë një konsensus më të gjerë dhe se brenda këtij viti do ta procedojnë në lexim të dytë. Ata thonë se arsyeja që po vonohet procedimi i ligjit është dialogu për çështjen e veteranëve. Ndërkohë, opozita vazhdon të kërkojë që veteranët të jenë pjesë e këtij ligji.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se çdo vonesë e ligjit për pagën minimale është e paarsyeshme dhe se çdo vendim që merret pa përfshirjen e veteranëve, është i papranueshëm.

Musliu: Çdo vonesë e ligjit për pagën minimale është e pakuptimtë

 

“Çdo minutë që shtyhet është e tepërt, sepse është bërë çdo gjë në këtë vend. Prej që është ardhë kjo Qeveri, çdo gjë ka dështuar dhe çdo gjë është duke shkuar mbrapshtë. Prandaj, çdo vonesë e ligjit për pagën minimale, është e pakuptimtë dhe e paarsyeshme…Po ashtu, çdo vendim që merret pa përfshirjen e kategorive të dala nga lufta, është e padrejtë dhe e papranueshme”, tha Musliu.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se Qeveria po neglizhon këtë lidhje dhe se paga minimale së paku duhet të caktohet në vlerë prej 400 euro.

Lekaj: Paga minimale së paku duhet të caktohet 400 euro

 

“Kur jemi te paga minimale, sërish këtu Qeveria është neglizhente dhe nuk ka filluar që ta procedojë në Kuvend, që është e domosdoshme paga minimale dhe kemi thënë se paga minimale së paku duhet të caktohet 400 euro”, tha Lekaj.

Mes tjerash, Lekaj tha se në pagën minimale në asnjë mënyrë nuk duhet lënë anash edhe veteranët.

Lekaj: Në asnjë mënyrë veteranët që ndërtuan shtetin e Kosovës nuk duhet lënë anash

 

“Në asnjë mënyrë kjo kategori (veteranët) që ka dhënë çdogjë nga vetja dhe e ka ndërtuar shtetin e Kosovës, nuk duhet lënë anash”, shtoi Lekaj.

Ndërsa nga pozita kanë thënë se aryeja që po shtyhet procedimi i këtij ligji është sepse ka pasur dakrodim që të vazhdohet dialogu në mes Qeverisë dhe grupeve të interesit, në mënyrë që të pajtohen sa i përket përmbajtjes.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se i njëjti do të procedohet në lexim të dytë brenda këtij viti.

Muja: I njëjti procedohet në lexim të dytë brenda këtij viti

 

“Kuvendi e ka kaluar në parim pagën minimale, mirëpo në të njëjtën kohë ka pas një dakordim që të vazhdohet pak dialogu ndërmjet Qeverisë dhe grupeve të interesit me qëllim që të ketë një dakordsi sa i përket përmbajtjes. Presim që së shpejti kjo të konkludohet, i njëjti të procedohet në lexim të dytë brenda këtij viti”, tha Muja.

I pyetur nëse do të përfshihen edhe kategoria e të dalurve nga lufta, Muja tha se janë duke diskutuar për këtë çështje.

Muja: Ideja e dialogut ka qenë të sqarohet për veteranët

 

“Ne e kemi një rregullim në dhjetor të vitit 2016 kur veteranët e luftës ose paga minimale e tyre është heq, tash ideja e dialogut ka qenë të diskutohet dhe të sqarohet kjo, dhe potencialisht të dakordohemi për këtë çështje, dhe ne kemi prit këto rezultate, tash presim ,meqë këtë vit gjithsesi ligji për pagën minimale do të përfundojë”, tha mes tjerash Muja.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës më 14 qershor të vitit të kaluar ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Pas miratimit në parim të projektligjit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pati thënë se projektligji do t’u ndihmojë më shumë se 100 mijë punëtorëve, të cilët paguhen më pak se 264 euro.

Projektligji, megjithatë, nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën. Në rast se miratohet edhe në leximin e dytë ashtu siç është, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro.

/TV Malisheva

Share.