Qeveria ende nuk posedon të dhënat zyrtare për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në disa komuna në vend.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se deri në sigurimin e raporteve finale për dëmet e shkaktuara në Skenderaj, Klinë, Istog, e Podujevë, nuk kanë ndarë fond të veçantë për mbështetjen e këtyre komunave.
Ministri Murati ka deklaruar se nuk kanë të dhëna për dëmet e shkaktuara në komunat e prekura nga vërshimet.
Murati: Jemi në kontakt të vazhdueshëm me komunat
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm, janë ministritë përkatëse, qoftë MAPL që mbikëqyrur pushtetin lokal, qoftë Ministria e Bujqësisë për dëmet në bujqësi. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe sapo të kemi edhe shifra dhe vlerësimet nga komisionet përkatëse, normalisht që si qeveri pastaj do të shohim se cilat janë mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna”, ka përfunduar Murati.
Ministri i Financave, Murati pas prezantimit të platformës së punësimit të të rinjve, ka folur edhe për dyfishimin e tatimit në pronë, ku tha se ka vullnet nga komunat për faljen e tatimin për tatimpaguesit në vlerë deri në 100 euro. Teksa paralajmëroi se për këtë do të bëjnë ndryshimet ligjore.
Murati: Ka vullnet nga ana e komunave për faljen deri në 100 euro të tatimeve
“Ka vullnet nga ana e komunave. Ne do ta procedojmë ligjin e ri, i cili do të përmbajë edhe dispozitën që të zbritet nga fatura e sivjetshme, shuma deri në 100 euro. Kjo gjë është thënë edhe po bëhet, shumë shpejt do të dërgojmë për konsultime të brendshme, e pastaj për konsultime publike-projektligjin e ri, i cili do të mundësojë këtë gjë. Dhe është më rëndësi që të gjenden sa më shumë mënyra që të lehtësohet jeta e qytetarëve”, u shpreh Murati.
/TV Malisheva