Arifi: Me 2 milionë eurot e qeverisë për Luginën ka ndodhur krim i organizuar

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, sot ka dorëzuar kallëzim penal për shpërndarjen e dy milionë eurove për Luginën. Pranë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, ai ka deponuar provat, që siç ka thënë ai, dëshmojnë se mjetet janë zhvatur nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe personave të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai pas dorëzimit të kallëzimin penal ka theksuar se ka besim që prokuroria do të trajtojë padinë e tyre.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, shpërndarjen e dy milionë eurove për luginën e ka konsideruar krim të organizuar.

Ai ka theksuar se ndihma e parë që ka ardhur nga qeveria është zhvatur nga “duarputhësit” e PVD-së.

Arifi: Çfarë ka ndodhur është një anamoli politike

“Çfarë ka ndodhur është një anomali politike, ku pasi që ka humbur pushtetin partia e favorizuar e LVV-së në prill të vitit të kaluar dhe është zhvendosur ne pushtet të ri, të cilës unë i prij, ka ndërruar edhe qasja e LVV-së ndaj komunës së Preshevës. Në atë moment e dini, Besnik Bislimi ka qenë në Preshevë ku ka proklamuar që këto ndihma tashmë do të dërgohen nëpërmjet Këshillit Nacional Kombëtar në Luginë të Preshevës, qytetarëve të tyre.”, ka thënë ai.

Sipas tij, mjetet janë shpërndarë në kohë fushate për një grup te caktuar që janë të afërm me pushtetin e LVV-së dhe Partinë për Veprim Demokratik.

Arifi: Në emër të shqiptarëve ka ndodhur një krim i organizuar i paparë më herët

“Çfarë ka ndodhur është një krim i organizuar në një formë të paparë më herët, kinse në emër të shqiptarëve, kinse në ndihmë ndaj luginës që gjendemi. Situata nuk është e lehtë, është e vështirësuar, në këso situata nuk bëhet politikë dhe nuk shfrytëzohet në interesat e tyre grupore apo edhe klanore. Dy vjet ka zgjat implementimi i këtij projektit nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar që në fund rezultuan që u shpërndan dy milionë në kohë fushate që ka ndodhur në tetor, në formë të interesit grupor të interesit të ngushtë.”, ka thënë Arifi.

Arifi ka shtuar para gazetarëve se këto mjete janë shpërndarë shoqatave të ndryshme në Luginë, të cilat janë rrjet i ngushtë i njerëzve të PVD-së.

Arifi: Ka marrë 45 mijë euro për të recituar pesë vjersha


“Ju e shihni Ragmi Mustafin, i cili është kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar që e ka hapur këtë konkurs, janë 45 mijë euro që ja ka dhënë një OJQ-së që tre ditë para konkursit është themeluar që të recitojë pesë vjersha për 45 mijë euro. Luginasit, shqiptarët atje kanë më shumë nevojë se sa për pesë vjersha. Ne kemi pasur nevoja të ndryshme të cilat i kemi artikuluar edhe qeverisë Kurti, por nuk ka pasur interes….Këtu Ardita Sinani, e cila është këshilltarja e kryeministrit Kurti, e cila ja ka shpërndarë një anëtarit të kryesisë në Preshevë, i cili është shkarkuar nga pozita e tij si shef i inspektoratit për korrupsion, i ka shpërndarë 27 mijë euro një shoqate e cila është fantome”, ka bërë të ditur ai.

Arifi ka përmendur edhe raste të tjera, duke përfshirë edhe të afërm të tjerë me pushtetin në Prishtinë, të cilët kanë përfituar nga këto ndihma.

Në anën tjetër, edhe avokati Hamdi Jashari ka thënë se në këtë kallëzim penal janë bashkangjitur certifikatat e OJQ-ve, të cilat janë hapur pak ditë para ose pas shpalljes së konkursit.

Jashari: Dy milionë euro janë shpërndarë në mënyrë selektive

“Dyshimet tona nga ato prova që kemi mbledhur, kemi ardhur në përfundim që paratë prej dy milionë, respektivisht 1 milion e 200 mijë euro, të cilat i janë ndarë Këshillit Kombëtar Shqiptar janë shpërndarë në mënyrë selektive edhe në mënyrë të organizuar nga komisioni, ku në këtë rast përfitues janë OJQ-të dhe shoqatat, të cilat në pjesën më të madhe kanë marrë anëtarët e ish-kabinetit Ardita Sinani dhe Shaip Kamberin, për këto kemi prova, të cilat i kemi bashkangjitur në kallëzimin penal, ku janë certifikatat e regjistrimit të OJQ-ve, që për çudi një pjesë e madhe rezulton që janë hapur pak ditë ose pas shpalljes së konkursit”, është shprehur ai.

Arifi është pyetur edhe për gjashtë kushtet për asociacionin të kryeministrit Albin Kurti, me ç’rast, ka thënë se krerët e institucioneve kanë hequr dorë nga parimet e deklaruara dikur.

Arifi: Këto gjashtë kushte janë kamuflim për mos pranim të asociacionit

“Këto gjashtë kushte më shumë i kam lexuar si kushte, të cilat janë kamuflim për mos pranim të Asociacionit, por edhe ky po vepron si ata politikanët klasik. ‘Çka më intereson mua atë që thash para disa ditëve’, para disa ditëve tha se ato gjashtë kushte, dje tha po e pranojmë planin franko-gjerman, me atë nënkuptohet që pranohet edhe Asociacioni. Konjufca tha që duhet me shikua një asociacion ndryshe, LVV është në zhvillim e sipër të kalojë prej parimeve në mos stabilitet të qëndrimit të tyre politik”, ka vijuar Arifi.

Në kallëzimin penal, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka nënvizuar se përfshihet Ilir Kapiti, i cili është ambasador në Angli. Ai po ashtu, ka shtuar se ka hasur edhe në keqpërdorime ku është përshirë Faton Bislimit, i cili është i afërm me Besnik Bislimin.

 /TV Malisheva 

Share.