Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, sot priti në takim shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Bashkëpunimi me shtetin e Luksemburgut, është dinamik dhe frytdhënës, e kjo siç informoi zyra e kryeministrit, u riafirmua dhe në takimin e sotëm bilateral.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria vlerëson kontributin e dhënë nga Luksemburgu si dhe mbështetjen financiare në projekte të ndryshme.
“Dy marrëveshjet bilaterale të nënshkruara në muajin korrik të vitit të kaluar, janë vetëm pikënisja e një bashkëpunimi afatgjatë, efikas dhe produktiv. Kosova ofron mundësi të shumta investimi, popullatë me moshë mesatare të re dhe dinamike e cila premton një të ardhme të suksesshme për vendin.”, u bë e ditur në komunikatë.
Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut, ku siç u bë e ditur, Qeveria e Kosovës ka një qasje aktive dhe konstruktive, është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
“Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara.”, u bë e ditur tutje në komunikatë.,
Tutje, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Dietz për takimin dhe bisedën, duke ritheksuar intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në projektet dhe fushat me interes të përbashkët.
/TV Malisheva