Brenda pak javësh, paga minimale në Shqipëri do të jetë 40 mijë lekë. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama i pranishëm në një takim me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme.

Në fjalën e tij, Rama tha se qëllimi është që paga minimale të rritet në vijim dhe të shkojë në 45 mijë lekë brenda 2 viteve të ardhshme.

“Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë. Nuk duam të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat. Kjo rritje është e duhura dhe besojmë se duke kontribuar edhe ne, qeveria, me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri me dije se janë 160 studentë që kanë përfituar nga programi i qeverisë për bursa studimi sa një pagë minimale e përmuajshme.

“Sot kemi përfituesit e parë të kësaj politike, 160 studentë nga i gjithë vendi nga universitete të ndryshme publike. Shumica studiojnë në programe prioritare, 89 studentë dhe 71 studentë ekselentë që janë diplomuar në shkollën e mesme dhe provimet e maturës të gjitha 10”, tha Kushi.

Nga programi i ri i bursave të studimit përfitojnë ata studentë që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar, që lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj./rtsh.al/

/TV Malisheva

Share.