Partia Demokratike e Kosovës, ka thirrur për të hënën një seancë ku do të diskutohet për dialogun me Serbinë.

Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi me anë të postimi në Facebook.

Ai ka thënë se askush nga organet shtetërore s’mund të ikë nga përgjegjësia e tij për dialogun.

“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Prandaj, si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, sot kemi kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi.

Me iniciativën tonë, të hënën, më 13 shkurt 2023, këtë debat do ta shtrojmë në Kuvend, aty ku edhe e ka vendin që të shtrohet e diskutohet detajisht kjo çështje”, ka shkruar Krasniqi.

Share.