Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i është kundërpërgjigjur kryeministres serbe, Ana Bernabiq, e cila ka thënë se Serbia është vendi me të drejtat më të mëdha për pakicat duke marrë shembull këshillin kombëtar të pakicave. Për këtë, Krasniqi ka thënë se Kosova është e gatshme të zbatojë një mekanizëm të tillë për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, ai ka thënë se Kushtetua, si dhe praktikat tregojnë që Kosova ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet.

Krasniqi: Kushtetuta në Kosovë ofron të drejtat për pakicat më të avancuarat në rajon dhe Evropë

“Në besojmë që Kushtetuta dhe praktikat tona në Kosovë ofrojnë të drejtat më të avancuara në rajon dhe Evropë por nëse Serbia mendon se është shembulli dhe modeli më i mirë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, atëherë ne jemi të gatshëm që të dëgjojmë, mësojmë më shumë për këshillin kombëtar në Serbi, ashtu që të zbatojmë një mekanizëm të tillë për komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në një konferencë për media, ka pyetur kryeministren e Serbisë, nëse është i bindur që të drejtat e komuniteteve pakicë në Serbi janë më të avancuara se ato në Kosovë, duke shtuar Kosova është e gatshme të diskutojë mundësinë e krijimit të këshillit nacional.

Krasniqi: Jemi të gatshëm ë diskutojmë mundësinë e krijimit të këshillit nacional të serbëve në Kosovë

“Sepse për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtat dhe jo qasje privilegjuese ndaj një komuniteti apo ndaj një pakice. Andaj e bëjmë një pyetje për zonjën Bërnabiq nëse ajo është e bindur që të drejtat e komuniteteve në Serbi janë më të avancuara sesa ato në Kosovë, jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të diskutojmë për mundësinë e krijimit të këshillit nacional të serbëve dhe besoj që kështu mundemi edhe të avancojmë në këtë proces. Mirëpo assesi praktika nuk tregon që serbët në Kosovë kanë më pak të drejtat sesa komunitet e tjera në Serbi”, ka thënë ai.

Krasniqi gjithashtu ka bërë të ditura shifrat të cilat tregojnë trajtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera pakicë në Serbi.

Krasniqi: Pak shqiptarë të punësuar në Serbi

“Banja Bujanoc ka 51 të punësuar serb, zero shqiptar dhe zero rom, Banja Sijarine ka 96 të punësuar serb, pesë shqiptar,dhe zero rom. Spitali i Vranjës ka 700 të punësuar serb, zero shqiptar dhe zero rom, shtëpia e shëndetit në Medvegjë ka 69 të punësuar serb, zero shqiptar dhe vetëm një rom, shtëpia e shëndetit në Preshevë ka 47 të punësuar serb, 184 shqiptar dhe zero zero”, ka shtuar ai.

Ai ka përmendur institucionet në Kosovë ku janë të inkuadruar komuniteti serb, si dhe 20 ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, prej tyre dhjetë për serbët.

Në fund të javës së kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësuesit politik të komunitetit boshnjak dhe shqiptar që jetojnë në Serbi.

Të njëjtit janë shprehur të pakënaqur me statusin e tyre atje duke kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë.

Si reagim ndaj kësaj, kryeministrja serbe, Ana Bernabiq kishte deklaruar se Serbia është vend më të drejtat më të mëdha për pakicat duke përmendur këshillin kombëtar si mekanizëm të mirë të respektimit të të drejtave të tyre.

Share.