Partia Demokratike e Kosovës, ditën e djeshme ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, krejt kjo për faktin se sipas tyre, ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Faton Fetahu, avokat i Grupit Parlamentar të PDK-së është autorizuar për dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese. Por, sipas tij, janë 8 ditë afat nga dita e miratimit për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, të një ligji i cili votohet në lexim të dytë në kuvend.

Fetahu nuk ka dhënë më shumë detaje për ditën se kur do të dërgohet.

“Sipas Kushtetutës janë 8 ditë afat nga dita e miratimit për dërgim në Gjykatën Kushtetuese, të një ligji i cili votohet në lexim të dytë në kuvend. Konfirmoj se jam autorizuar për dërgim të rastit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Fetahu.

Ndryshe, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj, ka thënë dje se ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në grupin punues, me arsye se konsiderojnë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Duke pretenduar të aplikohet konfiskimi përmes procedurës civile, zbatu hetim nga një agjenci jashtë sistemit të drejtësisë do të cenohet në esencë liritë dhe të drejtat e garantuar me kushtetutë”, tha ai.

Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në votat e 66 deputetëve.

Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, krahas me deputetët e shumicës, kanë votuar për.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtarë publikë, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilido zyrtari.

“Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por qëllimi është që të luftohet pasuria e pajustifikueshme e kujdo qoftë zyrtari”, tha ajo.

/TV Malisheva

Share.