Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës për faturat në pronë. Si pasojë e kësaj, nga AKK-ja kanë thënë se ka rënie të inkasimit të të hyrave nga tatimi në pronë.
Ai ka thënë se qytetarët nuk po dinë t’i paguajnë apo jo faturat e tatimit në pronë, apo të pritet ndryshimi i ligjit mbi tatimin në pronë.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, që i përfaqëson Komunat e Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri Kurti dhe ministri Hekuran Murati, që vendimin për rivlerësimin e pronave e cila ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në ngritjen enorme të faturave të tatimit në pronë të pezullohen. Nëse një vendim i tillë merret nga ministri Murati, atëherë faturat që u janë dërguar qytetarëve për vitin 2023 të ngritura në raport me vitin 2022 të mos ndryshohen”, ka thënë Ibrahimi.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së ka thënë vendimi i ministrit Murati për faljen e 100 euro është joligjore. Sipas Ibrahimit, inkasimi i tatimit në pronë ka rënie drastike, pasi qytetarët nuk po dinë si të veprojnë.
“Kryetarët e Komunave kërkojnë nga ministri Murati që të tregoj se çka duhet të veprohet tani. A të paguhen faturat e tatimit në pronë, apo te pritet ndryshimi i ligjit mbi tatimin në pronë, sepse me mendimet e ministrit Murati që komunat t’i falin 100 euro është e pa ligjshme. Kërkojmë që ministria e Financave të dal më një sqarim dhe të ju rekomandoj qytetarëve se si duhet të bëhet. Në bazë të informatave që kemi vlerësohet se inkasimi i tatimit në pronë ka rënie drastike sepse po mendojmë që qytetarët nuk po din se si të veprojnë. Ata janë duke pritur që të ndryshohet ligji mbi tatimin në pronë, apo çështja e cila është ngritur nga ministri e cila ishte jo ligjore falja nga 100 euro dhe po presim sqarime të mëtutjeshme”, ka thënë Ibrahimi.
/TV Malisheva