Kuvendi i Kosovës këtë të hënë mban seancë lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Seanca e planifikuar të nisë në orën 12:00 si rëndom po vonohet, ndërsa deputetët kanë filluar të mblidhen.
Kjo seancë ka vetëm një pikë të rendit të ditës “Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Kjo seancë është thirrur nga deputetët e PDK-së. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë seancës së kaluar të Kuvendit, tha se si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar edhe zyrtarisht një seancë plenare të veçantë, në mënyrë që me kryeministrin Kurti të debatojmë hapur për të gjitha temat e çështjet rreth zhvillimeve të ndërlidhura me dialogun.
“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në Twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
/TV Malisheva