Qeveria shqiptare ka në përbërjen e saj më shumë se 70% gra, por për kryeministrin Edi Rama ky nuk ka qenë një qëllim, por diçka që erdhi natyrshëm. I pranishëm në “World Government Summit 2023”, për të folur mbi rolin e grave në qeverisjen dhe shoqërinë e shekullit XXI, Rama tha se synimi fillimisht ishte që qeveria të kishte në përbërje 50% gra dhe po aq edhe burra, por theksoi se më pas, në përpjekjen për të zgjedhur personin e duhur për punën e duhur, kishte më shumë gra sesa burra të përshtatshme.
Për kryeministrin Rama, shanset për t’i realizuar gjërat, janë më të larta me gratë sesa me burrat
“Shanset me gratë për t’i realizuar gjërat janë më të larta se me burrat. Nuk pretendoj se ky është një model për të gjithë, por funskionon për Shqipërinë. Ka dy gjera që mund të them, e para është se tani për tani nuk duhet të shqetësohemi për atë që e quani teatrale sepse çfardo llojë gjëje që të bëhet në këtë drejtim është e mirë. Nxjerrja në pah e grave, dhënia e më shumë mundësive për të marrë pjesë është e një rëndësie thelbësore dhe ndojëherë kjo duhet të ndodhë përmes mjeteve që duken si të detyruara nga autoriteti i parlamentit, shetitit apo drejtuesit, por duhet të ndodhë. Kjo është diçka që vlen edhe për kuotat. Shifra e grave në qeverinë tonë është më e ekzagjeruara në mbarë botën, mbi 70%, por nuk është diçka që erdhi sepse donim të ishte kështu, por erdhi natyrshëm. Në fillim doja të ishte 50 me 50, por më pas në përpjekjen për të zgjedhur personin e duhur për punën e duhur kuptova që kishte më shumë gra sesa burra të përshtatshme për punën që duhej bërë”, tha Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se ende nuk është bërë mjaftueshëm në këtë aspekt, teksa përmend nevojën për fuqizimin e rolit të gruas në poste drejtuese edhe në sektorin privat e mbi të gjitha fuqizimin e saj në familje.
“Por sidoqoftë nuk është mjaftueshëm sepse duhet të vijojë edhe në sektorin privat dhe duhet të jetë kështu edhe në shtëpi ku kemi probleme me dhunën në familje. Kjo është njëra anë, por na duhet të jemi të vetëdijshëm se ka të bëjë edhe me sjelljen individuale”, u shpreh kreu i qeverisë.
/TV Malisheva