Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka numëruar premtimet që Qeveria i ka dhënë, e që sipas tij do të duheshin të bëheshin dhe ato që pushteti karakterizohet me to.
Ish-kryeministri Hoti për premtimet që nuk janë realizuar nga ekzekutivi përmend çerdhet, banesat për çifte, Fondin Sovran e të tjera.
Ndërkaq ato që e karakterizojnë këtë Qeveri, deputeti Hoti thekson se janë migrimi i madh i rinisë, problemet në veri e të tjera.
Ja postimi i plotë i tij:
Sot, pas dy vitesh qeverisje, do të duhej:
– lehtësisht të identifikoheshin projektet investive (së paku të nisura) dhe vendet e krijuara të punës,
– të numëroheshin çerdhet e ndërtuara,
– të numëroheshin banesat e ndërtuara për familjet e reja,
– të vëreheshin reformat në arsim e shëndetësi,
– të niste punën Fondi Sovran me pasuritë e AKP-së,
– të jepeshin kredi me norma të ulëta nga Banka Zhvillimore,
– të numëroheshin njohjet e reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë.
JO, asnjëra nga këto nuk shihet as në horizont. Dy vite të qeverisjes, karakterizohen me:
– numrin e madh të rinisë që kanë emigruar,
– probleme në veri,
– kaos në energjetikë,
– mungesë e barnave dhe emigrim i mjekëve,
– valë të njëpasnjëshme të privatizimit të aseteve të AKP-së,
– ulje e pagave reale,
– mungesë e investimeve kapitale,
– rritje e deficitit tregtar me 1 miliard euro,
– kthim i Serbisë në partner kryesor tregtar në rajon me 371 milionë euro import,
– futja e dialogut në udhë pa krye,
– acarimi i marrëdhënieve me miqtë,
– protesta të sindikatave dhe ditë të humbura të mësimit.
/TV Malisheva