Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, përmes një letre drejtuar Serbisë me rastin e Ditës së Shtetësisë, më 15 shkurt.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe qytetarët e Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkroi Blinken.
Në letrën drejtuar Serbisë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se SHBA vlerëson partneritetin strategjik që kanë me Serbinë “për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.
Sekretari Blinken, ndër tjerash, tha se SHBA janë një mbështetës i fortë i ambicieve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përshëndeti “angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd”.
Edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka uruar Serbinë për ditën e shtetësisë, teksa ka theksuar mbështetjen e Uashingtonit për dialogun me Kosovën.
“Në vitin e ardhshëm, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, nën përkujdesjen e BE-së. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj ndaj propozimit të BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një rajoni më paqësor dhe me të ardhme më me prosperitet”, ka shkruar Biden.
Më 20 janar, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Vuçiq këto komente i bëri gjatë një vizite në Beograd të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit të posaçëm të Francës, Emmanuel Bonne, atij të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Presidenti serb tha se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje e rëndësishme”, por nuk dha më shumë detaje, meqë tha se nuk mund të flasë për këtë pasi propozimi nuk është publik.
Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.
Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.
Plani, në të cilin ka pasur qasje REL, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët nga Kosova – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Blinken, në letrën e tij, gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar të Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara, dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, tha sekretari amerikan i Shtetit.
/TV Malisheva