Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se është e shqetësuar nga mungesa e ndihmave të nevojshme për pjesën veriperëndimore të Sirisë të prekur nga tërmetet.

Drejtori për situatat emergjente globale të OBSH-së, Mike Ryan në një deklaratë për gazetarët tha se “është shumë e qartë se zona për të cilën ka më shumë shqetësime aktualisht është pjesa veriperëndimore e Sirisë”.

Ai theksoi se tërmeti ka prekur edhe rajonet që kontrollon regjimi në Siri, por që njerëzit mund të sigurojnë qasje në shërbimet që ka atje.

“Duhet të kujtojmë që në Siri ka një luftë e cila vazhdon prej 10 vitesh. Sistemi shëndetësor është jashtëzakonisht i brishtë”, deklaroi Ryan.

Duke përmendur rëndësinë e hapjes së përkohshme të disa pikave kufitare në kuadër të ndihmave humanitare, Ryan tha se për momentin janë fokusuar për ndihmat e njerëzve.

OBSH-ja, thirrjen e saj për mbështetje me 43 milionë dollarë për punimet që zhvillohen në Turqinë dhe Sirinë e prekur nga tërmetet, tha se e ka rritur në 84,5 milionë.

/TV Malisheva

Share.