Klinika e Neurologjisë po ballafaqohet me mungesë të stafit infermieror. Në këtë klinikë shërbimin për rreth 600 pacientët me sklerozë multiple, po e mundëson vetëm një infermierë.

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, i cili u shpreh se përkundër që në këtë klinik kanë 56 infermierë, nevojat për këtë staf mbështetës është më e madhe.

Ai thekson se nëse duan të rrisin llojllojshmërinë e shërbimeve në këtë klinikë, e kanë të pamundur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të infermierëve.

Komoni: Numri i infermierëve i pamjaftueshëm

“Aktualisht Klinika e Neurologjisë i ka 56 infermierë me të cilët i mbulojmë të gjitha shërbimet, normalisht që ky numër nuk është i mjaftueshëm dhe këtë duhet ta shikojmë në aspektin e asaj që çdo klinikë apo grup i ka karakteristikat e veta. Klinika e Neurologjisë merret me pacientë me aftësi të kufizuara, me shumë vështirësi të cilat shumë shpesh nuk është i mjaftueshëm një infermierë që t’u ofroj ndihmën e mjaftueshme, kështu që ende nëse si numër duket i mjaftueshëm, nuk është i mjaftueshëm në natyrën e sëmundjeve që i kemi. Plus kësaj duhet llogaritur që çdoherë kemi edhe tendencë që të ofrojmë edhe më tepër sesa që kemi ofruar deri tash e këto zakonisht kanë implikimet, përveç infrastrukturore edhe në personel. Nëse dëshirojmë të ofrojmë shërbime të reja na nevojiten person tjetër”, thotë Komoni.

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë pranë QKUK-së, Edmond Komoni u shpreh se me numrin e mjekëve qëndrojnë më mirë.

Komoni theksoi se tashmë kur kanë filluar projektin për sklerozën multiple, është vetëm një infermierë për 580 pacientë.

E sipas tij, në mungesë të këtij stafi mbështetës po vërehen edhe në projektin e stroke center.

Komoni: Stafi mjekësor kemi mjaftueshëm, mungojnë infermierët

“Kemi filluar me projektin e sklerozës multiple ku për momentin vetëm një infermierë i menaxhojmë 580 pacientë që vijnë e marrin terapinë dhe konsulta të tjera ditore. Do të thotë na nevojitet së paku edhe një infermierë ose edhe dy. Kemi pastaj projektin e strokut, i cili ka filluar të realizohet, nuk është i përfunduar, është në fazat e implementimit për shkak se ka komplikime të mëdha edhe infrastrukturore të objektit por edhe me staf infermieror, ku së paku na nevojiten 5 që ta mbajmë shërbimin e strokut, po flas vetëm për pjesën e neurologjisë pa implikuar pjesën e radiologjisë që ka pjesën e saj…Në stafin mjekësor kryesisht qëndrojmë mirë, pra kemi nevojë për infermierë”, theksoi drejtori i Neurologjisë.

Pacientët në Kosovë po ballafaqohen me mungesë të barnave nga lista esencial, por në Klinikën e Neurologjisë thonë se furnizimet janë të qëndrueshme.

Komoni: Barnat bazike kryesisht i kemi

“Në përgjithësi një pjesë e madhe janë, ka ndoshta për shkak të procedurave tenderimit që munden me u vonua por ato bazike që janë pjesën më të madhe të kohës, ka mungesa kohë pas kohë, por mundemi që porositë t’i bëjmë më përpara”, u shpreh Komoni.

/TV Malisheva

Share.