Ish kryetari i Komisionit hartues të Kushtetutës së Kosovës dhe ish ministri i Drejtësisë në Kosovën e Pavarur, Hajredin Kuçi, tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovës 15 vite më parë, ka qenë një lloj plotësimi i amanetit të dëshmorëve dhe atyre që kanë rënë për liri.
Gjatë një interviste , Kuçi ka thënë se në momentin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, i janë kujtuar ata që kanë kontribuar shumë për këtë ditë, duke filluar nga Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti e shumë atdhetarë tjerë që nuk e kanë pritur këtë ditë.
“Në atë moment njerëzit mendojnë gjithmonë për atë që nuk e kanë. Më vjen keq për këto personalitet që i përmende, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Ukshin Hotin dhe shumë të tjerë, qoftë ata që kanë vdekur në burgje, në luftë apo diku tjetër por edhe ata që kanë qenë aktivistë dhe kanë vdekur prej natyrës dhe nuk e kanë arritur ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe aq shumë iu kanë përkushtua. Por unë mendoj se secili prej neve që e ka pas një qëllim ideal,nëse Kosova dhe shqiptarët unë mendoj që idealet i kanë bërë përmes lëvizjeve dhe pastaj lëvizjet e tyre i kanë shndërruar qoftë në lëvizje demokratike apo politiko-ushtarake çfarë ka qenë UÇK-ja, apo pastaj përmes partive politike, gjithmonë qëllimi ka qenë me i realizu ato ideal. E çdo gjeneratë ka realizua disa ideale dhe unë mendoj që ndihet mirë jo vetëm për ata që kanë qenë në atë moment apo kanë qenë gjallë, por edhe për ata që kanë vdekur, mendoj që ka qenë një lloj plotësimi i amanetit të tyre dhe ajo thënia që kam thënë “Bac u kry” ka qenë jo vetëm për Adem Jasharin por gjithë të tjerët të cilët e kanë pritur, e kanë synuar atë moment”, tha Kuçi.
Ish deputeti Hajredin Kuçi u shpreh se rënia e Adem Jasharit për liri, përveç bashkuese është sublime.
“Kontributi i tij është sublim për Pavarësinë e Kosovës dhe unë mendoj që secili që e ka dhënë një kontribut për Pavarësinë e Kosovës në këtë rast e ka vendin e vet”, tha Kuçi.
Ai u shpreh se qytetarët e Kosovës që e kanë arritur edhe lirinë edhe pavarësinë e vendit kanë përjetuar arritje të madhe.
Ai tha se është fat të cilin e ka pas kjo gjeneratë, por shtoi se edhe ka qenë edhe vullnet i qytetarëve por edhe secili shqiptar ka bërë diçka që ta ndiej veprimin e shpalljes së Pavarësisë.
/TV Malisheva