Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris akuzoi sot Rusinë për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në Ukrainë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Ne kemi shqyrtuar provat, ne i njohim standardet ligjore dhe nuk ka dyshim se këto janë krime kundër njerëzimit”, tha Harris në mbledhjen vjetore të mbrojtjes të nivelit të lartë.

“Unë u them të gjithë atyre që kanë kryer këto krime dhe eprorëve të tyre që janë bashkëpunëtorë në këto krime. Ju do të mbani përgjegjësi”, theksoi Harris, raporton ATSH.

Harris akuzoi forcat ruse për sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile.

Konkretisht, ajo akuzoi trupat ruse për vrasje, tortura, përdhunime dhe dëbime.

“Qindra mijëra njerëz janë dërguar me forcë në Rusi, duke përfshirë fëmijë”, tha ajo.

Krimet kundër njerëzimit janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, të cilat kryhen sistematikisht për të shkaktuar vuajtje në shkallë të gjerë tek civilët. /TV Malisheva

Share.