Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se Qeveria Kurti, në dy vjet sa e ka pushtetin, nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë. Sipas tyre, për këto dy vite ka pasur vetëm ndërrim të ministrave dhe ikje masive të punëtorëve shëndetësorë.
Deputetë të PDK-së, LDK-së e AAK-së thanë se në shëndetësi kanë munguar investimet kapitale. Po ashtu, brenda dy viteve, asnjë ligj substancial për sektorin e shëndetësisë nuk është sjellë në Kuvend nga Qeveria, përfshirë Strategjinë e Shëndetësisë, të premtuar.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se përkundër premtimeve e pritjeve të mëdha, në shëndetësi ka ndodhur degradimi.Haxhiu, i cili me profesion është mjek, ka thënë se për këto vite, shumë profesionistë shëndetësorë kanë ikur jashtë shtetit dhe trendi vetëm sa po thellohet, ndërsa përmend edhe mungesën e sigurimeve shëndetësore.
“Nëse kthehemi edhe shikojmë premtimet cilat ishin dhënë për sektorin e shëndetësisë dhe atë që është bërë, ose më mirë me thënë çka nuk është bërë në sektorin e shëndetësisë, kemi një degradim të këtij sektori brenda këtyre dy viteve. Asnjë nga premtimet e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë nuk janë realizuar; nuk ka reformë, nuk ka mbështetje të profesionistëve shëndetësorë, kemi ikje të tyre nga sektori publik në sektorin privat dhe nga Kosova jashtë vendit”.
“Nuk ka sigurime shëndetësore. Brenda dy viteve, asnjë ligj substancial për sektorin e shëndetësisë nuk është sjellë në Kuvend nga Qeveria; Strategjia e Shëndetësisë e premtuar nga Qeveria nuk është sjellë fare në Kuvend deri më tani dhe as që është marrë ndonjë iniciativë që të ketë një strategji të miratuar të paktën në Qeveri”, u shpreh Haxhiu
Haxhiu ka përmendur edhe shifrat e larta në listat e pritjes së pacientëve nëpër klinika të ShSKUK-së. Thotë se më herët në shumë klinika ishte zero.
“Kemi raportet të auditorit të cilat evidentojnë miliona euro keqpërdorim e abuzime. Edhe disa prej klinikave të cilat operonin me sukses dhe e kishin rezultate të mira, edhe ato kanë degraduar”.
“Lista e pritjes në Kardiologji ishte 0 ditë, në Radiologji gjithashtu ishte 0 ditë, ndërsa listat e pritjes tani janë më shumë se një vit. Në rastin e Onkologjisë, e cila ishte klinikë që realisht u menaxhua mirë gjatë pandemisë dhe ishte storie suksesi, në vitet e fundit, 2022 dhe 2021, kjo klinikë për disa muaj nuk ofronte shërbime për shkak që kishte vërshime brenda klinikës dhe listat edhe këtu të pritjes u rritën”, thotë Haxhiu.Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria ka ndërhyrë në përzgjedhjen e drejtorëve nëpër klinika.
Ish-ministri i Shëndetësisë, ka thënë se edhe në kohën e pandemisë, listat e pritjes kanë qenë zero, ndërsa tani janë më gjatë se një vit. Zemaj ka përmendur edhe prishjen e aparaturave në Onkologji.
“Është çështje menaxhimi, është çështje e ndërhyrjeve në përzgjedhjen e drejtorëve të Klinikave. Për shembull ka raste kur lista e pritjes në një Klinikë ka qenë zero, me ardhjen e një udhëheqjeje të re, kjo shifër ka arritur në pritje alarmante për pacientet dhe qytetarët. Edhe pse ka qenë vit pandemisë është mundur që listat e pritjes që të jenë të reduktuara diku edhe kanë arritur edhe me efikasitet edhe punë të shtuar mos të them 24 orësh, edhe të shtunën edhe të dielën që vetëm mos të pësojnë qytetarët dhe pacientët”.
“Ndërsa me ndërrimet që kanë ndodhur janë ndërpre këto shërbime është penguar puna e shumë pajisjeve, prishja e aparaturave, mosintervenim i shpejtë me qëllime që duket kanë pasur edhe nuanca korruptive dhe grupeve të interesit të ndryshme që nuk ia duan të mirën shëndetit publik”.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, edhe ky mjek me profesion, kritikon ndërrimin e shpeshtë të ministrave të Shëndetësisë.
Dreshaj ka thënë se Kosova kohëve të fundit po përballet me ikje masive të punëtorëve shëndetësorë.
“Kjo Qeveri realisht e ka dëshmuar se asnjëherë nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë. Kemi qenë të ballafaquar me ndërrimin e shpeshtë të ministrave, me mosinvestime kapitale në shëndetësi, kemi qenë të ballafaquar në mungesë të reformës, në mungesë të ligjeve për shëndetësi dhe e tërë kjo ka bërë që pastaj në mungesë të ligjit të pagave për shëndetësi dhe e tërë kjo e ka sjellë situatën e humbjes së shpresës te popullata dhe të mjekët në veçanti”.
“Ajo që ka ndodhur vitin e kaluar, kur mbi 200 mjekë dje 640 infermierë e kanë lëshuar Kosovën, ndërsa ky trend nuk ka tendencë të rënies pas bërjes publike të koeficientit të pagave. 31 mjekë i kemi për 35 ditë që këtë vit e kanë lëshuar Kosovën”, u shpreh Dreshaj. /TV Malisheva