Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale.
Ndalesën e tij në Hagë, Krasniqi e bëri pas vizitës së tij në Zvicër për takime me mërgatën. “Përvjetori i 15 i Pavarësisë së Kosovës, s’do të ishte i plotë, pa i uruar ata që ngritën themelet e shtetit”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi.
“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Javën e Pavarësisë e përmbylla në Hagë, aty ku çlirimtarët e Kosovës po zhvillojnë betejën e tyre të fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi.
Duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, urova që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë.
Përherë falënderues për kontributin e tyre të pashoq për Kosovën!