Tre persona thuhet se kanë humbur jetën pas një tërmeti me magnitudë 6.4 ballë që goditi Turqinë jugore, disa javë pasi një tërmet vdekjeprurës shkatërroi rajonin.
Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha gjithashtu se edhe 213 persona ishin plagosur në Hatay. Agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave Afad tha se tërmeti ndodhi në orën 20:04 me orën locale.
Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi të njëjtën zonë më 6 shkurt, duke vrarë më shumë se 44,000 njerëz në Turqi dhe Siri. Të vrarët nga lëkundjet e së hënës u gjetën në Antakya, Defne dhe Samandagi, tha Soylu, duke u bërë thirrje njerëzve që të mos hyjnë në ndërtesat potencialisht të rrezikshme.
Dëshmitarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se kishte pasur dëme të tjera në ndërtesa në Antakya, ndërsa kryebashkiaku i Hatay, në Turqinë jugore, thotë se njerëzit janë bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet turke kanë regjistruar më shumë se 6,000 pasgoditje që nga tërmeti i 6 shkurtit, por ekipi i BBC-së në rajon tha se lëkundjet e sotme janë ndjerë shumë më të forta se ato të mëparshmet.
Raportohet se tërmeti është ndjerë edhe në Siri, Egjipt dhe Liban. Grupi i mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha tha se më shumë se 100 njerëz u plagosën në Siri, me ndërtesat që u shembën dhe paniku i përhapur.
Fondacioni i Shoqërisë Mjekësore Siriane Amerikane tha se pesë nga spitalet e tij patën të paktën 30 persona të lënduar nga tërmeti i fundit, por shtoi se dëmet në objektet e saj mjekësore ” jenë minimale”.
Në Turqi ka frikë dhe panik teksa vazhdojnë të vijnë pasgoditje të vogla. Linjat e ambulancave dhe ekuipazheve të shpëtimit po përpiqen të arrijnë në disa nga zonat më të prekura, ku muret e ndërtesave të dëmtuara rëndë janë shembur. Një numër strukturash që mbetën në këmbë pas lëkundjes së 6 shkurtit tani janë shembur, duke përfshirë edhe një urë.