Presidenti i Ukrainës u zotua për fitore në vitin 2023, ndërsa vendi po shënon të premten përvjetorin e parë të zymtë të agresionit rus, që ai e quajti “dita më e gjatë e jetës sonë”.
Ndërsa po agonte një ditë përkujtimi presidenti Volodymyr uroi ukrainasit për qëndrueshmërinë e tyre në luftën më të madhe dhe më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai tha se ata e kishin provuar veten të jenë të pathyeshëm në atë që ai e quajti “një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe uniteti”.
“Ne mbijetuam ditën e parë të luftës në shkallë të gjerë. Nuk e dinim se çfarë do të sillte e nesërmja, por e kuptuam qartë se për çdo të nesërme, duhet të luftosh. Dhe ne luftuam”, tha ai në një video fjalim herët në mëngjes.
Ishte “dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë e historisë sonë bashkëkohore. Ne u zgjuam herët dhe që atëherë nuk kemi fjetur”, tha ai.
Ukrainasit po mbajnë veprimtari përkujtimore për dhjetëra mijëra të vrarët, një numër që po rritet gjatë gjithë kohës ndërsa luftimet vazhdojnë veçanërisht në Ukrainën lindore.
Një vit më pas, paqja nuk shihet gjëkundi. Kina bëri thirrje për një armëpushim, një ide e refuzuar më parë nga Ukraina nga frika se do të lejonte Rusinë të rigrupohej ushtarakisht pas dështimeve në fushën e betejës. Një dokument prej 12 pikash i publikuar të premten në mëngjes nga ministria e Jashtme e Kinës kërkon gjithashtu fundin e sanksioneve perëndimore që po ushtrojnë trysni mbi ekonominë e Rusisë. Ky sugjerim nuk paraqet kurrfarë zgjidhjeje, duke pasur parasysh se vendet perëndimore po punojnë për të shtrënguar më tej sanksionet.
Në Ukrainë, kishte shqetësime se Rusia mund të lëshonte një tjetër breshëri raketash për të shtuar trishtimin e kësaj dite të zymtë. Por, alarmet për sulme ajrore nuk u dëgjuan gjatë natës në Kiev dhe mëngjesi filloi i qetë.
Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat të mbajnë mësim në distancë dhe punonjësve në zyra iu kërkua të punojnë nga shtëpia. Një ditë, e cila një vit më parë filloi me sulme me raketa, me trupat pushtuese që derdheshin nëpër kufijtë e Ukrainës dhe një eksod refugjatësh, filloi shumë më qetë të premten në Kiev dhe pjesë të tjera që Ukraina i mbrojti me sukses në fillimin të agresionit rus, duke sfiduar frikën se vendi mund të bjerë brenda ditësh ose javësh.
Nderimet për qëndrueshmërinë e Ukrainës u shfaqën gjithandej nëpër botë. Kulla Eifel në Paris ishte ndër monumentet e ndriçuara me ngjyrat e Ukrainës.
Presidetni Zelenskyy e filloi herët ditën, duke lëshuar një postim në Twitter që premtonte se “viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë”!
Një vit më pas, të dhënat për numrin e viktimave janë të tmerrshme nga të dyja palët, me vlerësimet perëndimore që flasin për qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Pasojat ekonomike kanë shpërthyer në gjithë botën. Pasojat diplomatike gjithashtu. Vendet perëndimore po mbështesin Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht. Por vende si Kina dhe India kanë shfaqur mëdyshje në lidhje me argumentet perëndimore se Ukraina është vija e parë e luftës për liri dhe demokraci./VOA
/TV Malisheva