Policia spanjolle ka arrestuar gjashtë persona për përfshirjen e tyre të dyshuar në një aferë trukimesh gjatë një ndeshje të Kupës së Spanjës e cila u luajt në dhjetor të vitit 2021.
Gjashtë të arrestuarit besohet se kanë marrë rreth 30 mijë euro nga bastet në një ndeshje që klubi i Levantes, në atë kohë në divizionin e parë, fitoi 8-0 ndaj ekipit të kategorisë së pestë CD Huracan Melilla, sqaron policia në një deklaratë. Fillimisht rezultati përfundimtar nuk ngjalli dyshime për shkak të diferencës në nivele të dy kundërshtarëve.
Këto arrestime u bënë një ditë pas njoftimit nga gjykata rajonale e Melilla, një qytet autonom spanjoll në bregun verior të Afrikës, se gjashtë persona ishin dëgjuar në lidhje me këtë çështje. Midis këtyre gjashtë personave ishte një ish-lojtar i CD Huracan.
Policia tha se hapi një hetim pasi mori një raport nga La Liga, e cila menaxhon futbollin profesionist spanjoll, si dhe disa qendra bastesh.
Në një deklaratë për shtyp të botuar të enjten, klubi Huracan Melilla tregoi se po bashkëpunonte me autoritetet e futbollit dhe sistemin e drejtësisë dhe siguroi se po bënte çdo gjë të mundshme për të luftuar kundër mashtrimit. Nëse një anëtar aktiv i klubit është i përfshirë menjëherë do të merren masa disiplinore dhe ligjore, thuhet në njoftimin për media.
Nga ana e tij, klubi i Levantes, aktualisht i 4-ti në divizionin e dytë të futbollit spanjoll, siguroi për pafajësinë e tij në një deklaratë për shtyp.
“Asnjë lojtar i ekipit tonë, as ndonjë anëtar i entitetit tonë, nuk ka marrë asnjë lloj komunikimi në lidhje me faktet e ankesës. Siç thuhet në deklaratën e La Liga-s, Levante është plotësisht i pavarur nga faktet e raportuara dhe, për rrjedhojë, është përjashtuar nga hetimi.”.
/TV Malisheva