Shqetësimet për thatësirë sa shkojnë e rriten në Evropë, pasi matjet e fundit në Alpe kanë treguar vetëm sasi të vogla të akumulimit këtë vit, derisa reshjet e shiut në vendet si Italia dhe Franca kanë qenë shumë të ulëta.

Në Francë, Zvicër, Itali dhe disa pjesë të Austrisë, ka shumë më pak borë sesa mesatarja, ka thënë meteorologu Klaus Haslinger nga shërbimi shtetëror i motit në Austri.

Në Itali, organizata joqeveritare, Legambiente, është duke paralajmëruar që 53 për qind më pak borë ka rënë në Alpet italiane në muajt e fundit.

Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e borës, por edhe te mungesa e shiut.

Në Francë, pas disa javëve pa shi, ka shqetësime për një verë të dytë me thatësira dhe kufizime në ujë.

Haslinger ka thënë se të dhënat tregojnë se ngrohja globale është duke favorizuar këto temperatura, duke krijuar më shumë kushte për thatësira në të ardhmen.

“Nëse moti në pranverë do të jetë i ngjashëm me atë të vitit 2022, thatësira do të jetë shumë më e keqe”, ka paralajmëruar Josef Eitzinger, meteorolog në Universitetin për Burime Natyrore në Vjenë.

Së fundi është raportuar se kanalet më të famshme në Venecias janë tharë dhe se i gjithë veriu i Italisë është duke u përballur me probleme të lidhura me motin.

Sipas gazetës italiane, La Repubblica, pas një muaji pa reshje në rajonin Emilia-Romagna, ekziston rreziku i rënies prej 40 për qind të prodhimit kombëtar të ushqimit. /REL/

/TV Malisheva

Share.