Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin evropian.

Siç ka informuar sot zyra e kryeministrit, në këtë letër, ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër (27 shkurt) do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

/TV Malisheva

Share.