Grupi i Miqësisë me Maqedoninë e Veriut i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga homologët e tyre maqedonas që ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në NATO.

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e këtij Grupi, Ganimete Musliu. Ajo ka dhënë detaje nga ky takim, me ç’rast tha se shteti fqinjë duke qenë anëtare në NATO, mund ta mbështesë Kosovën drejt këtij rrugëtimi.

Me këtë rast, Musliu ka kërkuar që takime të tilla të mbahen më shpesh.

“Është një takimi që ndodhë për herë të parë në historinë e parlamenteve ku takohen dy grupet e miqësisë. Diskutuam për mundësit e bashkëpunimit në të ardhmen duke filluar nga kalimi në pikën kufitare, folëm për çështje të arsimit, për bashkëpunim në politika të përbashkëta. Ky është takimi i parë por nga sot do të filloj rritja e intensitetit të takimeve tona. Të dyja grupet erdhëm në përfundim që duhet të takohemi më shpesh. Maqedonia e Veriut është edhe një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe gjithashtu, ju e dini se ne aspirojmë integrimin tonë në NATO, këtë rast Maqedonia është në NATO dhe ne kërkuam edhe nga delegacioni që të kemi mbështetje edhe me tej për shtetin e Kosovës që në këtë rrugëtim të jemi bashkë dhe ta kemi mbështetjen e tyre”, tha ajo.

E kryetari i Grupit Parlamentar të Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, Afrim Gashi, i quajti të shkëlqyeshme raportet ndërmjet dy shteteve.

Ai tha se bashkëpunimi i këtyre dy shteteve, do të jetë shembull për shtetet e Ballkanit në rrugën atlantike.

“Është një takim i parë shpresojmë që këto dy grupe të miqësisë do të jenë pika shtyse që do të ndikojnë në përmirësimin e raporteve të dy shteteve. Ne konstatuam se raportet ndërmjet dy shteteve tona janë të shkëlqyeshme por gjithmonë ka hapësire për përmirësim të raporteve. U fokusuam tekë pika e dytë se cilat janë fushat ku ne mund ta zhvillojmë bashkëpunimin, mund t’i përmirësojmë raportet ndërmjet dy shteteve tona gjithë kjo për një jetë sa më të mirë për qytetarët tanë”, tha ai.

“Kjo gjithsesi do të jetë edhe reflektim edhe për vendet tona edhe vendet e rajonit edhe do të jemi një shembull pozitiv apo pikë e bardhe e Ballkanit në funksion të ecjes sonë të përbashkët rreth rrugëtimit të dy shteteve tona në rrugën atlantike”, tha në fund ai.

/TV Malisheva

Share.