Transferimi i dyshuar i detyruar i mijëra fëmijëve ukrainas nga Rusia, është “ndoshta dëbimi më i madh i detyruar në historinë moderne”, tha sot ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, në një ngjarje në margjinat e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.
“Krimi më i tmerrshëm është se Rusia po vjedh fëmijët ukrainas. Është një krim gjenocidal”, tha Kuleba në një video-mesazh të transmetuar në një dhomë të mbushur plot në ditën e parë të një takimi të këshillit në Gjenevë për të diskutuar mbi krimet e dyshuara të luftës të Rusisë në Ukrainë.
Një raport i fundit nga ekspertët në Universitetin Yale, thotë se Rusia po mban të paktën 6,000 fëmijë ukrainas, dhe ndoshta shumë të tjerë, në vende të ndryshme në Krime të kontrolluar nga Rusia dhe në Rusi, për qëllimin kryesor të “riedukimit politik”.
Raporti thotë se të paktën 43 kampe dhe lloje të tjera objektesh që mbajnë fëmijë ukrainas, janë identifikuar si pjesë e një “rrjeti sistematik në shkallë të gjerë” të operuar nga Moska që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
“Fëmijët përfshijnë ata me prindër ose me kujdestari të qartë, ata që konsiderohen jetimë nga Rusia, fëmijët që ishin nën kujdestarinë e institucioneve shtetërore të Ukrainës përpara pushtimit, dhe ata kujdestaria e të cilëve është e paqartë ose e pasigurt për shkak të luftës”, thuhet në raport.
Disa fëmijë u futën në sistem dhe u adoptuan nga familjet ruse, ose u transferuan në kujdestari në Rusi, thuhet ndër tjera në raport.