Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se sjellja aventureske e kryeministrit Albin Kurti në gjashtë muajit e fundit, solli një marrëveshje me Serbinë në qendër të së cilës nuk është njohja reciproke, por pranohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe hapet Pako e Ahtisarit përmes zotimit të krijimit të një statusi për Kishën Ortodokse Serbe. Mirëpo, ndryshe e sheh, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, i cili thekson se përmes dakordimit të mbrëmshëm për propozimin e BE-së, Serbia e njeh de-facto Kosovën.

Çitaku thotë se Kurti nga një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë që sjell njohjen reciproke, arriti në një marrëveshje që nuk i përfshinë asnjërën prej tyre.

Çitaku: Sjellja aventureske e Kurtit solli një marrëveshje që s’ka njohje reciproke

“Fatkeqësisht kjo marrëveshje nuk përmbush pritjet e qytetarëve të Kosovës dhe kërkesat e Republikës së Kosovës në vitin 2023. Ka më shumë se tre-katër vite që prej kur Shtëpia e Bardhë përmes letrave të njëpasnjëshme ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen sinqerisht dhe seriozisht në procesin e dialogut, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme me njohjen reciproke në qendër. Fatkeqësisht sjellja aventureske e kryeministrit të Republikës së Kosovës në gjashtë muajt e fundit ka prodhuar një dokument si ai që kishim dje që as nuk është ligjërisht i obligueshëm dhe as nuk është marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër”, thekson ajo.

Sipas Çitakut, në bazë të nenit shtatë të marrëveshjes, Kurti pranon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe sipas saj që është tejet shqetësuese diskutimi për statutin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë.

Çitaku: Marrëveshja zbaton Asociacionin dhe ka një element me Kishën Ortodokse serbe që hapë Pakon e Ahtisarit

“Ajo çka pa në dokument është një tekst me shumë dykuptimësi, secila palë do të interpretojë në mënyrën e vet dhe të vetmet elemente eksplicite ishin ato që kishin të bëjnë me marrëveshjet e mëhershme. Detyrimi për të zbatuar të gjitha marrëveshjet paraprake, si dhe një element i ri që kishte të bënte me statusin e kishës ortodokse serbe. Me një fjalë kemi të bëjmë me hapjen e Pakos së Ahtisari, por kjo hapje po bëhet vetëm njëanshëm”, shton ajo.

Por, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, thotë se marrëveshja krijon një moment të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ai shton se përmes të njëjtës, Serbia e njeh de-facto Kosovën, kjo sipas tij i mundëson vendit të përdorë një qasje të re, ku do të jetë Bashkimi Evropian që do të kërkojë Serbisë njohjen de-jure të Kosovës nëse dëshiron të anëtarësohet në BE.

Bytyçi: Marrëveshja sjell njohjen de-fakto nga Serbia

“Marrëveshja në përgjithësi krijon një moment të ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Sjell njohjen de-facto nga Serbia që nënkupton se Kosova mund të adoptojë një qasje të re, të braktisë qasjen e vjetër ku Kosova ka bërë kompromise duke ndjekur njohjen de-jure nga Serbia. Tash Kosova e ka komoditetin që të thotë se nuk mund të bëjë më shumë kompromise duke ndjekur një njohje de-jure dhe do të jetë Bashkimi Evropian që do t’ia kërkojë Serbisë njohjen de-jure të Kosovës nëse ajo dëshiron të anëtarësohet në BE”, deklaron ai.

Të hënën, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u takuan në Bruksel për ta diskutuar propozimin evropian. Megjithëse ndërmjetësuesi i dialogut, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se palët janë pajtuar në parim për këtë propozim, nuk pati nënshkrim të tij.

Kurti tha se ai ishte i gatshëm për ta nënshkruar planin, por se për këtë nuk ishte Vuçiqi, ndërkohë, Borrell theksoi se palët janë shprehur të gatshme të diskutojnë edhe për zbatimin e planit, derisa paralajmëroi një takim tjetër në muajin mars.

/TV Malisheva

Share.