Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot një ndërmarrje në Kamenicë për të diskutuar për emigrimin e punëtorëve që po ikin masivisht nga Kosova.

“Gjatë vizitës në Kamenicë, sot kam vizituar Fabrikën e mobiljeve, ku pronari Adil Kryeziu shprehu shqetësimin se punëtorët që kanë përvojë pune po ikin për punë në Kroaci dhe vende tjera të Bashkimit Evropian”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.

Krasniqi tha se shumë të rinj nga i gjithë vendi po e braktisin Kosovën në kërkim të persepektivës dhe rritjes së mirëqenies në shtetet tjera.

“Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur, dhe shumë biznese rrezikojnë të shuhen në të ardhmen për shkak të mungesës së burimeve njerëzore”, tha ai.

“Prandaj, detyrë e jona e përbashkët duhet të jetë kthimi i besimit në institucione, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve, përmes të cilave krijohen vende të reja pune me paga dinjitoze për qytetarët”, ka shkruar Krasniqi.

 

Share.