Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të mblidhen për vazhdimin e seancës, për debatin për dialogun me Serbinë. Seanca u ndërpre gjatë ditës me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti që për tri orë u përplas me deputetë opozitare për planin evropian, për të cilin u pajtua të hënën në Bruksel.
Në orën 16:00 kryeministri u largua nga seanca ashtu siç i paralajmëroi deputetët, porse ua dha një propozim që të ktheheshin në orën 22:00 në seancë. Me disa vështirësi u vendos që deputetët ta vazhdojnë debatin në atë kohë. Megjithatë, tash që ora ka kaluar përtej 22-shit, deputetët ende po shihen duke u grumbulluar.
Kurti nisi të raportonte pas mocionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë ditës, opozita e akuzoi kryeministrin se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Por, kryeministri Kurti tha se në këtë proces nuk do t’i bëjë gabimet e qeverive të kaluara. E, e kaluara politike e disa deputetëve solli debatin më të nxehtë në këtë seancë.
Në sallë janë parë deputetë të të gjitha grupeve parlamentare si dhe disa ministra.