“Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë luftë, kur trupa artistike ushtarake e Hamëz Jashari, e përbëre nga aktorë dhe ushtarë që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan 1 vjetorin e rezistencës së familjes Jashari, Ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5,6 dhe 7 marsit të 1998 në Prekaz”, tha Kurti.
Ai përmendi punën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ku tha se tërë jetën ia ka kushtuar përgatitjes për luftën e Kosovës për çlirim.
“ Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UCK-së le të kujtojmë fillet e kësaj traditë përkujtimore të nisur më 5, 6 dhe 7 mars 1999 ku ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë Ai është gjallë. Ato ditë ishte ende koha e luftës, për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur tërë jetën dhe asaj luftë që ai ia kushtoi tërë jetën. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është kështu sepse origjina e Ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve 80 atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët, për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtrinë, andaj sot ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.
Kurti iu drejtua ushtarëve duke iu thënë se sa herë që ata e veshin uniformën, ta dinë se është uniformë e prejardhur nga Adem Jashari.
“Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti.
/TV Malisheva