Ai tha se një familje e tërë para 25 vitesh ne Prekaz po luftonte kundër një shteti për të mbrojtur pragun e shtëpisë.
“Sot e 25 vjet më parë, në Prekazin e bacës Shaban, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe kombëtarisë, një familje shqiptare – burra e gra, i madh e i vogël – me guximin mbinjerëzor po luftonte kundër një shteti të tërë – Serbisë agresore”, tha Konjufca.
Ai tha se për tre ditë po shkruhej me shkronja gjaku Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
“Aty, më 5, 6 e 7 mars 1998, po shkruhej me shkronja gjaku vepra madhore – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin Adem Jashari”, tha Konjufca.
Kryekuvendari shtoi se nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa liria dhe tha se aspirata e popullit tonë ka kaluar shumë përpjekje e luftëra.
“Në historinë e një populli nuk ka ngjarje më të rëndësishme sesa lufta për çlirim. Në jetën e një populli nuk ka qëllim më të lartë dhe asgjë më të shtrenjtë sesa liria. Aspirata e popullit tonë ka kaluar nëpër një varg përpjekjesh, luftërash e sakrificash shekullore. Një rrugë e gjatë brezash, e stërmundimshme dhe plot e përplot dhimbje deri te Republika e pavarur dhe sovrane”, tha Konjufca.
/TV Malisheva