Ambasadori i Italisë, Antonello De Riu, ka thënë se Kosova dhe Serbia, duhet të arrijnë në momentin në të cilin vendoset njohja reciproke ndaj njëra-tjetrës.
De Riu deklaroi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova se me marrëveshjen aktuale në tryezë, ishte maksimumi i asaj që mund të arrihej në mes palëve në dialog.
“Siç është theksuar disa herë, si nga kolegët e mi, ambasadorët e Quintit këtu, në intervistat e mëparshme, por mbi të gjitha në nivel të Brukselit dhe kryeqendrave, kjo marrëveshje, në të vërtetë është një marrëveshje pragmatike, le të themi, merr parasysh situatën aktuale. Në situatën aktuale, sinqerisht ishte maksimumi që mund të arrihej, por është një fazë e ndërmjetme sepse është e qartë se për të vazhduar drejt integrimit të tyre evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova do të duhet të arrijnë një moment, në të cilin do të vendoset njohja reciproke”, tha De Riu.
Ambasadori italian theksoi përparësitë – siç i quajti ai – që Kosova ka në këtë marrëveshje.
“Para se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, do të duhet të arrijnë një njohje ndërmjet të dyjave, një njohje dypalëshe, megjithatë unë do të doja të fokusohesha në përparësitë që Kosova do t’i ketë që sot, jo vetëm në të ardhmen, që në çdo rast kjo marrëveshje lejon njohjen e simboleve shtetërore, njohjen e integritetit territorial dhe në të njëjtën kohë ka edhe përparësi ekonomike, sepse përmes kësaj marrëveshjeje do të mund të zhbllokohen një sërë pengesash që sot, pikërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, paraqesin një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të vetë Kosovës. Çfarëdo problemi që mund të ketë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjeografia është ajo që i përcakton zgjedhjet, zgjedhjet afatgjata. Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë të jenë fqinj, janë shtete kufitare dhe për të rritur mirëqenien e popullatës, zhvillimin e ekonomive të tyre, është e nevojshme të hiqen ato pengesa politike që sot pengojnë tregtinë e lirë, lëvizjen e çdo lloji të kapitalit. Kjo marrëveshje fillon të ndihmojë këtë proces. Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë fort që të arrihet kjo marrëveshje, e cila nuk është përfundimtare, por tashmë mundëson përparësi të mëdha dhe të dukshme për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe të Kosovës në veçanti”, vijoi De Riu.
Ambasadori De Riu paralajmëroi se disa vende që janë në pozitë neutrale rreth statusit politik të Kosovës.
“Sigurisht që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën po shikojnë me shumë kujdes se çfarë do të pasojë nga këto negociata, sepse është e qartë nëse do të mund të arrihej një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në nivel evropian, sipas propozimit evropian, natyrisht që do të ishte një ndihmë e madhe për këto vende të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Natyrisht, siç është thënë gjithmonë, edhe nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lajçak, ne nuk mund t’i detyrojmë vendet të ndryshojnë qëndrimin e tyre, por të njëjtat vende e kanë bërë të qartë në diskutimet evropiane se përparimi në dialog sigurisht që do të kontribuojë pozitivisht në ndryshimin e qëndrimit të tyre”, tha De Riu.