Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, ka thënë se një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Evropës.
Rama në Facebook ka uruar jo vetëm Kosovën, po edhe Bashkimit Evropian.
Rregullat e reja do t’i lejojnë poseduesit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180 ditore.
Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, ose cilado datë më përpara.
Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.
Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard u shpreh se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.
Ndërkohë, drejtori i institutit Epik, Demush Shasha ka potencuar se tani ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ku pritet përkrahje përsëri pothuaj unanime.
/TV Malisheva