Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Në takim, siç informoi qeveria, u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian. Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës.”, u bë e ditur në komunikatë.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve me krerët e shtetit tha se ka marrë vizionin e Kosovës për zbatimin e planit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe të njëjtat ishin në kuadër të pritjeve të tij. Ai nënvizoi se pret që në takimin e radhës më 18 mars në Ohër të ketë një dokument që do të nënshkruhet nga palët.

Më 27 shkurt në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /TV Malisheva

Share.