Në vazhdën e takimeve në ditën e tij të dytë të qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka takuar edhe komandantin e KFOR-it, shefin e EULEX-it, të UNMIK-ut dhe atë të OSBE-së në zyrat e misionit të NATO-s në Kosovë.
Siç bën të ditur KFOR, komandanti i tij, Angelo michele Ristuçia, e informoi zyrtarin e BE-së për aktivitetet e KFOR-it.
Ndërsa me ambasadorët Michael Davenport (OSBE), Lars-Gunnar Wigemark (EULEX) dhe Caroline Ziadeh (UNMIK), thuhet se diskutuan për situatën aktuale për të sinkronizuar çdo përpjekje për të mbështetur dialogun në kuadër të mandateve përkatëse.
“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësi dhe personel për të vazhduar zbatimin e mandatit të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo i kontribuon sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR-i gjithashtu thotë se vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit – si platforma kryesore për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin. /TV Malisheva